Haxhiu për vrasjen e gruas shtatzënë: Sikur Prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti mund parandalohej
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e fajëson sistemin gjyqësor për papërgjegjësi, pas rastit ku dyshohet se një 35-vjeçare shtatzënë u vra nga ish-burri.
Ajo thirri në takim grupin ndërministror për t’i diskutuar veprimet institucionale për këtë ngjarje.
“Viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psikike dhe fizike dhe prokuroria personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt” tha Haxhiu.
Sipas saj sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës rasti mund të ishte parandaluar, derisa sërish u mor me mungesën e përfaqësuesve të prokurorisë dhe gjykatave që edhe këtë takim e bojkotuan.
Ministrja u zotua se në momentin që do të verifikohet hallka që ka dështuar do të ketë dorëheqje ose shkarkime.
Megjithatë tha se sistemi gjyqësor sipas ligjit është i pavarur dhe ajo vetë e as ministria që drejton nuk mund të shkarkojnë askënd.