2 euro falso e dëmtojnë deri në 50 mijë euro “Prishtina Parking”, flet Havolli se pse nuk e pranojnë më këtë monedhë
Të gjithë qytetarët që parkojnë automjetet e tyre në parkingjet e “Prishtina Parking” nuk do të mund të paguajnë më me monedhën metalike 2 euro. Ky vendim ka hyrë në fuqi dje dhe sipas Kryeshefit të këtij institucioni Sokol Havolli, vendimi u mor për shkak të qarkullimit të monedhës 2 euro falso që sipas llogaritjeve të tyre “Prishtina Parking” mund të dëmtohet deri në 50 mijë euro në vit.
Sokol Havolli tha se rastet e pranimit të monedhës 2 euro falso i kanë hapur edhe në polici, por në këtë fazë e kanë parë të arsyshme që më mos t’i pranojnë ato.
Ai shprehet se sasia e parave që nuk ua pranojnë bankat është relativisht e madhe.
“Arsyeja është te falsifikimi, i kemi hap disa raste në polici, i kemi njoftu policinë. Nuk kemi pajisje edhe janë ekstrem të shtrenjta pajisjet për detektim të parave falso dhe ndërmarrja mundet me i i humb 30-40 mijë euro në vit nëse ne vazhdojmë me këtë ritëm sepse sasia e mjeteve që neve nuk na pranojnë bankat është relativisht e madhe”, tha Havolli.
Ai tha se në të ardhmen pritet të dixhitalizohet ndërmarrja por deri në atë fazë nuk do të pranohen më 2 euro.
I pyetur nëse janë njoftu qytetarët për këtë vendim, Havolli tha se ata janë njoftuar nga publikimet që ‘Prishtina Parking”, i ka vendosur në pikat e saj.
Qytetarët janë njoftu me publikimet që i kemi bo në secilën pikë, vendimi ka hy në fuqi dje. Ne jemi mundu një kohe mi trajtu me policinë, mirëpo për shkak të problemeve të ndryshme e kemi pa që në këtë fazë mi eleminu krejt. Në të ardhmen ne synojmë me dixhitalizu ndërmarrjen sa më shumë dhe natyrisht paratë e gatshme me u procesu përmes aparatave të pagesave, që e bëjnë detektimin e parave falso. Mirëpo në këtë fazë për mos me dëmtu ndërmarrjen, me një vlerësim tonin të brendshëm që mundet me shku deri në 50 mijë euro viti jemi detyru me marrë këtë masë që unë e di se i ka problemet e veta edhe kjo”, u shpreh Havolli.
I pyetur se sa para i ka “humbur” ndërmarrja nga 2 euro falso këtë vit, Havolli tha se “nuk ka informacione”.
Ndërkohë një qytetar është shprehur i habitur te “Vrojtuesit e Lagjes” se si nuk pranohet kjo monedhë.
Policia në raportin e saj 24-orësh ka njoftuar 7 raste të ndryshme të falsifikimit të parasë.
Vetëm në një rast një zyrtare e bankës në Prishtinë ka njoftuar në polici se nga disa klientë janë deponuar 462 euro (monedha metalike), të falsifikuara.
Monedhat janë konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar, ka njoftuar policia.