Ngjarje

Lirohen nga paraburgimi tre të miturit për dhunimin e 11-vjeçares

Gjykata Supreme këtë të mërkurë ka vendosur t’i lëshoj nga paraburgimi tre nga të miturit të cilët u dënuan nga Gjykata Themelore në Pirshintë në rastin e dhunimit të 11 vjeçares, me 25 vjet burgim së bashku.

Të miturit G.R, G.J dhe Xh.S, lirohen për t’u mbrojtur në liri, sipas këtij Aktgjykimi të lëshuar nga Supremja, ku Kryetar i kolegjit ishte Afrim Shala dhe anëtar, gjyqtarët Valdete Daka dhe Agim Maliqi.

“Me aprovimin e kërkesave për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të mitur: G.J, XH.S, e sipas detyrës zyrtare edhe për të miturin G.R, ndryshohet aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për të Mitur, i datës 24.02.2023 dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës, i datës 27.03.2023, ashtu që të miturve, G.J, Xh.S, G.R, iu ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njejtëve pas dorëzimit të aktgjykimit lirohet për t’u mbrojtur në liri.” – thuhet në Aktgjykimin e Gjykatës më të lartë të gjyqësorit kosovar, të cilën e ka siguruar Gazeta Nacionale.

Pra, deri në një Aktgjykim të formës së prerë, tre të miturit do të mbrohen në liri, kjo sepse nga Supremja është pranuar, ajo që juridikisht quhet “mbrojtje e ligjshmërisë”.

Sa ishin dënuar 4 të akuzuarit

Venidmi i sotëm i Supremës, nuk e afekton edhe të dënuarin tjetër i cili nuk është i mitur e që është Ekrem Rexhepi, i cilu u dënua me 15 vjet burgim.

Kurse tre të miturit, G.R ishte dënuar me 9 vjet burg, e G.J dhe Xh.S ishin dënuar me nga 8 vjet burg secili.

Në këtë rast i akuzuar ishte edhe Shkëlqim Kameri, mirëpo i njëjti është liruar në mungesë të provave për veprën penale Shërbime Seksuale të viktimës së trafikimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur ka shpallur sot Aktgjykimin në rastin ndaj 11 vjecares, ashtu që ka bërë rikualifikimin e veprave penale dhe ndarjen e diapozitivave për të përcaktuar përgjegjësinë penale për secilin nga personat e dyshuar. Gjykata nuk ka gjetur që e dëmtuara të ketë qenë e trafikuar apo viktimë e veprës penale të trafikimit me njerëz.’’- thuhet ndër të tjera në dosjen e Gjykatës.

I akuzuari Ekrem Rexhepi është shpallur fajtor për veprën penale Dhunimi dhe ndaj tij është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 vjetëve, në të cilën llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

I dënuari Ekrem Rexhepi është i moshës madhore, rrjedhimisht dënimi ndaj tij është më i larti.

Por, a është mjaftueshëm i lartë?

Vepra “Dhunimi” e cila në kod është e përshkruar: “Kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë dënohet me burgim prej 2 deri në 10 vjet.”

Por pikat e tjera të këtij neni, rregullojnë dënimin edhe për specifikat kur viktima është e mitur, e kur është nën moshën 14 vjeçare.

“Kur vepra dhunimi kryhet ndaj personit nën moshën katërmbëdhjetë vjet, kryesi dënohet me burgim prej së paku dhjetë vjet” thuhet në këtë pikë.

Tutje, një pikë më poshtë thuhet se nëse kjo vepër përmban një ose më shumë nga rrethanat qe kanë të bëjnë me torturat, kanosjen, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit, kjo vepër dënohet së paku me 15 vjet burgim.

Kur mund të shkojë prapa grilave një i mitur?

“Gjykata mund të shqiptojë dënimin me burgim ndaj kryerësit të mitur i cili në kohën e kryerjes së veprës penale i ka mbushë gjashtëmbëdhjetë (16) vjet dhe ka kryer vepër penale të dënueshme me mbi pesë (5) vite burgim, në rastet kur shqiptimi i masës edukative nuk do të ishte adekuate për shkak të peshës së veprës penale, pasojave të saj dhe shkallës së përgjegjësisë penale.”

Pra, në rastin konkret, vepra penale e dhunimit është e dënueshme, me mbi 5 vite burgim.

Sa vite burgim mund t’i shqiptohen një të mituri?

Në kod parashihet maksimumi i burgimit për të mitur, i cili është dhjetë (10) vjet për vepra të rënda penale të dënueshme me burgim të përjetshëm, ose kur i mituri ka kryer së paku dy (2) vepra penale në bashkim, ku secila është e dënueshme me burgim prej më shumë se dhjetë (10) vjet.

Pra, një i mitur mund të shkojë maksimalisht deri në 10 vjet në burg. Në rastin e dhunimit të 11 vjeçares, i mituri G.R u dënua me 9 vjet burg kurse G.J dhe Xh.S me nga 8 vjet secili.

Pra, në dënimet ndaj të miturve, Gjykata Themelore ka vendosur qe të shqiptoj dënimet pothuajse maksimale që parashihen me legjislacion.

Related Articles

Back to top button