Ngjarje

Reagon edhe BE-ja, veprimet e Kurtit i quan “veprime të njëanshme provokuese”

Ka reagur edhe Bashkimi Evropian në lidhje me tensionet në veri të vendit, duke thënë se nuk do të pranojnë më “veprime të njëanshme provokuese”. Madje, e kanë ripërsëritur deklaraten që zgjedhjet nuk do të ofronin një zgjidhje politike afatgjatë.

Pas ShBA-së, edhe BE-ja ka bërë publik reagimin e saj, duke thënë fillimisht se dënojnë ashpër përleshjet mes policisë së Kosovës dhe protestuesve në veri.

“Bashkimi Evropian dënon ashpër përleshjet që përfshijnë policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale. Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t’i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore.” – thuhet në reagim.

Tutje, BE-ja ka bërë të ditur se nuk do të pranojë asnjë veprim të njënashëm, apo provokues.

“Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të de-përshkallëzuar situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë. BE-ja nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm ose provokues dhe ruajtja e paqes, dhe siguria në terren duhet të jetë prioritet.” – bëhet e ditur në komunikatë.

Në fund, BE ka deklaruar si vijon: “Siç ka deklaruar vazhdimisht BE-ja, zgjedhjet e fundit të pjesshme në veri të Kosovës nuk do të ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për komunat e përfshira. Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve kryesore të interesit, që përfshin Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës – nën lehtësimin e BE-së.”

Related Articles

Back to top button