Ngjarje

Moslejimi i filmave shqiptarë në Bujanoc, Çeku: Ky akt më e pakta është mosdurim nacional

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Hajrulla Çeku, ka reaguar pasi autoritetet serbe kanë ndaluar shfaqjen dy filmave shqiptarë në Shtëpinë e Kulturës në komunën e Bujanocit, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Çeku ka thënë se ky veprim është i paprecedentë dhe i papranueshëm.

Sipas tij, ky akt është mosdurim nacional.

“Një ditë para shfaqjes së filmave, policia e Serbisë i merr në bisedë informative drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, producentin dhe aktorët e filmave. Pa asnjë motiv konkret, e madje duke e paragjykuar përmbajtjen e filmave, autoritetet serbe ndalojnë shfaqjen e filmave deri në një vendim të radhës. Ky akt më e pakta që mund të emërohet, është mosdurim nacional. E për fat të keq ka ende qarqe politike brenda, në rajon e jashtë që besojnë në ndryshimin e Serbisë”, shkroi ai.

Tutje Çeku tha se politizimi nga ana e Serbisë edhe i artit, me të vetmin motiv që filmi është me aktorë shqiptarë dhe mbështetet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, është përgënjeshtrimi më i madh që Serbia ka ndryshuar.

“Ky projekt ishte njëri nga 78 projektet që Qeveria jonë i mbështeti financiarisht përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar. Projekte këto që bartnin aktivitete në ruajtjen dhe kultivimin, avancimin e artit, gjuhës, arsimit e identitetit kombëtar shqiptar në Luginën e Preshevës”, tha më tej ministri i Kulturës.

Ndryshe, Policia serbe dje ka ndaluar drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc Jetmir Ismaili dhe aktorin Gani Veseli.

Ndalimi i tyre u bë një ditë para premierës së dy filmave që ishin planifikuar të shfaqeshin sot. Shfaqja e filmave “Heshtje vret” dhe “I pabesi” ishin të financuar nga Qeveria e Kosovës.

Të njëjtit janë liruar, ka njoftuar deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi./Sinjali

Related Articles

Back to top button