Kurti: Shoqëria dhe shteti duhet t’i mbrojë pjesëtarët e komunitetit LGBTQIA+

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas përfundimit të “Paradës së Krenarisë” të komunitetit LGBTI, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se pjesëmarrësit e Paradës kanë bërë sot thirrje publike për barazi dhe liri.
Ai ka dënuar kërcënimet, abuzimet dhe diskriminimet me të cilat përballet pjesëtarët e këtij komuniteti, duke thënë se shoqëria dhe shteti duhet t’i mbrojë.
“Pjesëmarrësit e “Paradës së Krenarisë” sot bënë thirrje publike për barazi dhe liri. Janë të papranueshme kërcënimet, abuzimet dhe diskriminimet që i përjetojnë pjesëtarët e komunitetit LGBTQIA+. Shoqëria dhe shteti duhet t’i mbrojnë dhe duhet të mësojnë për ta. Të gjithë së bashku duhet të besojmë në të drejtat e njeriut, në dinjitetin dhe integritetin e çdokujt. Njerëzit duhet t’i pranojmë, respektojmë dhe duam ashtu qysh janë”, shkroi ai.



