Erdogan i ofron mbështetje Putinit pas sulmit të Wagnerit

President i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
Erdogani i ofroi mbështetje Putinit, mbi gjendjen e fundit të krijuar në Rusi, thuhet në njoftimin e presidencës ruse.
“Putini e informoi presidentin Erdogan në telefon për situatën në vend në lidhje me tentativën për rebelim të armatosur. Presidenti i Turqisë shprehu mbështetjen e tij të plotë për hapat e udhëheqjes ruse”, thuhet në njoftim.
Për këtë situatë ka reaguar edhe përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell.
Borrelli, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se ka zhvilluar një telefonatë me ministrat e Jashtëm të G7-ës për të shkëmbyer mendime rreth situatës në Rusi.
Ai shtoi se tashmë është aktivizuar qendra e reagimit ndaj krizave.



