Bislimi merr meritat për vendimin për liberalizim: E kemi trajtuar burimin e problemit
Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ka thënë se vendimi i sotëm për liberalizimin e vizave jo më larg se 1 janari i vitit 2024, është një hap i rëndësishëm, duke thënë se kjo vjen pas një procesi të gjatë të takimeve me vendet skeptike.
“Ka qenë një proces i gjatë i takimeve konsultative me vendet skeptike, ku kemi marrë burimin e problemit. E kemi trajtuar atë dhe theksuar se vendi ynë gjatë vitit të fundit ka shënuar progres madhor në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe menaxhimin e migrimit. Puna, përkushtimi dhe angazhimi në këtë proces, u riafirmua sot dhe nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së”, ka shkruar Bislimi në Facebook, transmeton Klankosova.tv.
“Mirëpresim dakordimin mes ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për ta kaluar procesin drejt fazave të rradhës, deri në vendimin final”.
Ministri për Integrime Evropiane tha se tani pret nga Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian që procedurat të kalohen shpejt.
“Pas shumë viteve ngecje e pritjeve të tejzgjatura, çështja e liberalizimit të vizave ecën tutje në procedurat e vendimmarrjes në institucionet e BE-së, ku faza e radhës është ajo ndër-institucionale mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian, nga ku presim që procedurat të kalohen shpejt dhe të kthehen në Këshillin e Ministrave për vendimin final”, u shpreh tutje Bislimi.
Krejt në fund, ai falënderoi Presidencën Çeke të Këshillit të BE-së për përkushtimin në shtyrjen përpara të këtij procesi, si dhe shtetet anëtare për mbështetjen.
“Falënderues ndaj Presidencës së Çekisë të Këshillit të BE-së, për vëmendjen e tyre të veçantë dhe përkushtimin në shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave, si dhe të gjitha shteteve anëtare që e kanë mbështetur aktivisht Republikën e Kosovës në këtë proces”, përfundoi Bislimi.
Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar të mërkurën për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
Teksti është përpiluar nga Çekia, e cila ka udhëheqjen aktuale të BE-së, pas disa takimeve të grupeve punuese dhe diskutimeve dypalëshe me vendet që kanë pasur vërejtje.
Sipas dokumentit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.
Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.