Kurti në takim me Roth: S’mund të vazhdohet me dialogun sikurse të mos ketë ndodhur gjë

Në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili po mbahet sot në Tiranë, Kryeministri, Albin Kurti, ka takuar kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth.
Nëpërmjet një komunikate për media, bëhet e ditur se në takim kanë diskutuar rreth situatës aktuale në vend dhe procesin e dialogut.
Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kryeministri Kurti, citohet të ketë thënë se nuk mund të vazhdojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë.
“Kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit, për të cilin ka dëshmi e fakte të mjaftueshme për përfshirjen e Serbisë.Qasja në proces duhet të jetë e balancuar, të respektohet dhe zbatohet në plotni Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj. Serbia të zmbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike të cilat kanë të bëjnë me njohjen de-facto të Kosovës dhe integritetin tonë territorial”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
Të takimin Kurti-Roth është biseduar edhe rreth rrugëtimit e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Kryeministri Kurti ka falënderuar z. Roth për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë si dhe të tij ndaj Republikës së Kosovës./Lajme.net



