Përleshja në Kuvend, aktakuzë ndaj Besnik Bislimit, Hajdar Beqës, Mërgim Lushtakut dhe Bekim Haxhiut

Prishtinë- Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe Mërgim Lushtaku, për përleshjen e ndodhur më 13 korrik 2023 në Kuvendin e Kosovës.
Në njoftim thuhet se Besnk Bislimi, Mërgim Llushtaku dhe Hajdar Beqa po akuzohen për veprën penale “Sulmi”, kurse Beqa akuzohet po ashtu edhe për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”. Ndërsa, për “Lëndim të lehtë trupor” akuzohet Bekim Haxhiu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Sipas aktakuzës, të pandehurit B.B., M.L., H.B., ngarkohen për veprën penale “Sulmi”, nga neni 184 paragrafi 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri H.B., gjithashtu ngarkohet me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 321 paragrafi 1 të KPRK-së. Po ashtu, në këtë çështje penale për të pandehurin B.H., ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 të KPRK-së” thuhet në njoftim.
Në fund, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjeve në fuqi.
Ndryshe, më 17 tetor 2023, “Betimi për Dejtësi” ka raportuar se prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Nebahate Salihi ka thënë se hetimet lidhur me përleshjen e ndodhur më 13 korrik 2023 në Kuvendin e Kosovës gati kanë përfunduar dhe se shumë shpejt pritet të përpilohet aktakuza.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Sulmi”, sipas KPRK-së, lidhur me incidentin i cili ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, si dhe ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast. Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmerre të gjitha veprimet konform dispozitave ligjore të KPPRK-së, deri në sqarimin e plotë të çështjes në fjalë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.



