Gjermania zoton 37 milionë euro për ta përafruar Kosovën me BE-në

Qeveria e Gjermanisë ka zotuar 37 milionë euro ndihmë për Kosovën, për ta përafruar me Bashkimin Evropian.
Me përfundimin e negociatave ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Gjermanisë për bashkëpunim zhvillimor, pala gjermane është zotuar se do të vazhdojë mbështetja financiare ndaj Kosovës për periudhën 2022-2033, prej 37 milionë eurove.
Me këtë zotim, mbështetja gjermane për Kosovën arrin në shumën prej 64.42 milionë euro që nga dhjetori 2020.
Ministria e Financave ka bërë të ditur se prioritetet e bashkëpunimit zhvillimor përfshijnë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, trajnimin dhe punësimin, ndryshimet klimatike dhe energjinë, tranzicionin e drejtë dhe qeverisjen e mirë.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde citohet të ketë thënë se “sot të dyja vendet tona po hapin një kapitull të ri të partneritetit tonë të palëkundur për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Me këtë ne mbështesim Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.”
Sipas ministrisë ndërkaq, theks i veçantë i është kushtuar edhe investimeve të mëtejme në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP), si projekti kryesor i bashkëpunimit zhvillimor gjermano-kosovarë. Në lidhje me politikat energjetike, sektori publik dhe privat, si dhe shoqëria civile, do të marrin mbështetje në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2022-2031 dhe Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (NECP).
“Gjithashtu, fonde të konsiderueshme do të ndahen përmes investimeve në infrastruktu`rën e ujërave të zeza, duke synuar mbrojtjen e burimeve ujore nëntokësore dhe lumenjve të rrezikuar. Kjo kontribuon ndjeshëm në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e Kosovës” – thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ndërsa ministri Hekuran Murati citohet të ketë thënë se “Gjermania ka qenë dhe vazhdon të jetë një mbështetëse e vazhdueshme e zhvillimit tonë për më shumë se 20 vjet. Ne kemi ndarë vlera të përbashkëta që nga fillimi dhe mbështetemi në mbështetjen e Gjermanisë drejt realizimin të aspiratave tona për të zhvilluar më tej Kosovën dhe për të ndihmuar vendin drejt anëtarësimit në BE”.
Ministria e Financave ka thënë se Gjermania është ndër donatorët më të mëdhenj dy palësh në Kosovë. Sipas saj, që nga fillimi i bashkëpunimit në vitin 1999, qeveria gjermane ka ndarë 753 milionë euro për rindërtimin dhe zhvillimin e vendit.



