Kërkohet paraburgim për 39-vjeçarin që dyshohet për 19 vjedhje në Malishevë
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj Jeton Krasniqit, i cili u arrestua gjatë ditës së djeshme si i dyshuar për një sërë vjedhjesh në Malishevë.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria njofton se ka kërkuar që Krasniqit t’i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, i pandehuri J.K., me datë 25.12.2023, në parkingun e një qendre tregtare në Malishevë, me thyerje e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, tjetrit i’a merr pasurinë dhe atë të dëmtuarit E.K., me një mjet thyen xhamin e pasëm të veturës se të dëmtuarit, dhe nga aty merr një çantë ku në të ishte një kulet si dhe dy letërnjoftime të lëshuara nga shteti Gjerman, e një i lëshuar nga shteti i Kosovës.
Në kohë të panjohur e gjerë me dt.07.02.2024 në Malishevë, me dije përdor dokumentin e falsifikuar si origjinal dhe atë patentë shoferin si dhe kartën e identitetit, që të dy dokumentet i përdor kinse si origjinale, ku të njëjtat posedojnë të dhënat personale të personit të identifikuar si A.M., ndërsa fotografia e vendosur në ato dokumente është e të pandehurit J.K”, thuhet në komunikatë.
Krasniqi do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Vjedhje e rëndë’ dhe ‘Falsifikim i dokumenteve’.