Ngjarje

Sveçla: Shumë shpejt do të mbërrijmë në situatën kur nuk do të ketë barrikada

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se janë në koordinim me KFOR, EULEX dhe me QUINT-in, për çështjen e barrikadave në veri të vendit.

Sveçla tha se shumë shpejt do të arrihet situata kur nuk do të ketë barrikada në këto dy rrugë nacionale.

“Unë tashmë bëra apel që të tërhiqen. Patjetër që Policia ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim, në momentin që ata e vlerësojnë të duhur, nëse nuk hiqen, atëherë do të ndërmarrin veprimet e duhura. E gjithë kjo po ndodh në koordinim me KFOR-in, EULEX-in dhe QUINT-in. Besoj që shumë shpejt do të mbërrijmë në situatën kur nuk do të ketë barrikada në këto dy rrugë nacionale”- u shpreh Sveçla.

“Të gjithë zyrtarët janë në krye të detyrës, sidomos ata që janë momentalisht në katër komunat në veri. Nuk kemi situatë ku për shkak të barrikadave nuk ka pjesëtarë të Policisë së Kosovës gati në çdo cep atje, nuk ka bllokadë të policisë, nuk ka rrezik të pa menaxhueshëm për Policinë e Kosovës dhe ata po i kryejnë detyrat e tyre”- shtoi ai.

Ministri nuk ka ndarë detaje në lidhje me planet operacionale të Policisë në veri të vendit, pasi sipas tij disa informata të aktivitete të policisë atje mund të jenë të ndjeshme.

“Për aspektin e informatave operacionale unë isha kursyer dhe ju kisha lutë edhe juve që disa informata të aktivitete të policisë atje mund të jenë të ndjeshme prandaj duhet të jemi më të kujdesshëm”- theksoi Sveçla.

Ditëve të fundit situata është tensionuar në pjesën veriore të Kosovës. Fillimisht serbët lokal dyshohet të kenë sulmuar zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor pas fillimit të aktiviteteve për mbajtjen e zgjedhjeve që kanë qenë të planifikuara të mbahen më 18 dhjetor, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Në zonën veriore të Kosovës, vazhdimisht gjatë kësaj jave ka pasur shok-bomba që janë gjuajtur në vende të ndryshme, e madje edhe ka pasur sulm ndaj njësiteve të Policisë e edhe të gazetarëve.

Informatat nga terreni bëjnë me dije se policët e Kosovës janë të vendosur në pikat e tyre dhe janë duke monitoruar situatën, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme njoftoi se në pjesën veriore deri më tani janë vendosur gjashtë barrikada.

Për shkak të vendosjes së këtyre barrikadave, ministri njoftoi se janë mbyllur edhe dy pikat e kalimit kufitar, ajo në Jarinjë edhe në Bërnjak.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq.

Sveçla për sulmet ndaj zyrtareve policor tha se u bënë nga grupet kriminale të organizuara.

Related Articles

Back to top button