Gjermania kundërshton mundësinë e kthimit të forcave serbe në Kosovë
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock e quajti krejtësisht të paparanueshme kërkesën nga Serbia për dërgimin e trupave në Kosovë. Vuçiq ka paralajmëruar se Serbia do ta paraqesë zyrtarisht këtë kërkesë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka bërë të ditur në fundjavë se Serbia do të kërkojë zyrtarisht në ditët në vijim që në Kosovë të kthehen forcat serbe, “siç parashikohet me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”. Vuçiq tha se kjo kërkesë do t’i dërgohet misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe autoriteteve të tjera ndërkombëtare. Njëkohësisht Vuçiqi ka kërkuar që Policia e Kosovës të mos mund të shkojë në veri të vendit pa pëlqimin e kryetarëve të komunave me shumicë serbe në këtë pjesë të vendit.
Përdorimi i armëve
Megjithatë serbët lokalë kanë bllokuar disa rrugë në veri, që ka rezultuar edhe me mbylljen e dy pikëkalimeve kufitare në veri. Ka pasur edhe sulme me armë ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Këtë tendosje presidenti i Serbisë e ka marrë si shkas për kërkesën që në Kosovë të kthehet forcat serbe.
“Kosova i ka zbutur tensionet, Serbia po e bën të kundërtën“
Ndërkohë kanë reaguar edhe autoritetet e BE dhe të NATO-s të cilat kanë kërkuar uljen e tensioneve. Ndërkohë ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbocknë një reagim në Twitter, shkroi se “Kosova i ka ulur tensionet me shtyrjen e zgjedhjeve, por retorika e fundit e Serbisë po bën të kundërtën.” Shefja e dipomacisë gjermane i quajti “të papranueshme” sulmet mbi misionin e BE-së në Kosovë, EULEX. Një patrullë e këtij misioni është sulmuar të shtunën në mbrëmje me shok bombë nga, siç u tha, persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës. Autoritetet e Kosovës kanë fajësuar “bandat kriminale”, të udhëhequra nga Beogradi për këto sulme. Ndërsa Beogradi e ka shpallur Prishtinën fajtore. /DW