Të shmanget përshkallëzimi i situatës në veri, KFOR-i vigjilent në përmbushjen e misionit, sot është dita e katërt prej se u vendosën barrikadat nga serbët në veri

KFOR-i ka reaguar pas zhvillimeve në veriun e Kosovës.
Forcat paqëruajtëse ndërkombëtare porositin se e vetmja rrugë e Prishtinës dhe Beogradit drejt paqës është dialogu.
Misioni i NATO-s në Kosovë shton se duhet të shmanget çdo përshkallëzim i ri.
KFOR thekson se mbetet jashtëzakonisht vigjilent në përmbushjen e mandatit.
“E vetmja rrugë drejt paqes është që Beogradi dhe Prishtina t’i zgjidhin çështjet e tyre përmes dialogut dhe të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri. #KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së.”, thuhet në reagimin e KFOR-it.
Sot është dita e katërt prej se u vendosën barrikadat nga serbët në veri.Kjo pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, i cili dyshohet se sulmoi policinë të enjten e kaluar para mesnatës ku mbeti i plagosur një zyrtar.
Ngjarjet në veri kanë shkaktuar reagime tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Bashkimi Evropian.



