Tanke të KFOR-it nisen drejt Mitrovicës
Situata në veri të Mitrovicës ka vazhduar të jetë e qetë ditën e sotme, pas protestës së djeshme të serbëve në anën tjetër të kufirit në Jarinjë.
Ndryshe nga dje, sot është raportuar për rritjen e prezencës së trupave të KFOR-it amerikan afër pikës kufitare në Jarinjë, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit atje.
Në një video të siguruar nga lajmi.net, tanke e automjete të KFOR-it janë parë sot duke kaluar nëpër komunën e Vushtrrisë, për të vazhduar për në Mitrovicë.
Aktualisht, situata në komunat veriore është e qetë por se rrugët për në pikat kufitare në Bërnjak e Jarinjë vazhdojnë të jenë të bllokuara nga kamionët e protestuesve serbë.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka deklaruar se rrugët për në pikat kufitare po vazhdojnë të jenë të bllokuara ende për shkak se KFOR-i ka kërkuar kohë, ndërsa ka theksuar se barrikadat nuk do të qëndrojnë aty për shumë gjatë, duke nënkuptuar kështu ndoshta ndërhyrjen e policisë.