Ngjarje

Heqja e barrikadave në veri të Kosovës, Rama: Shfaqje që zgjati ca më shumë, fundi i njëjtë

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një shfaqje të radhës vendosjen dhe tërheqjen e barrikadave nga serbët në veri të Kosovës.

Në një postim në facebook Rama e konsideron të pakuptimtë vendosjen e barrikadave “si mjet paqësor proteste”, ndërsa thekson se në përfundim të kësaj situate të gjithë shkuan në shtëpi. Kjo shfaqje sipas Ramës nuk i jep zgjidhje tërësore situatës mes Kosovës dhe Serbisë.

“Asgjë e re, shfaqja zgjati ca më shumë, tensioni u ngrit ca më lart, fjalët u këmbyen me ca më shumë zjarr, manovrat ushtarake patën ca më shumë hov, po fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë!

Ah po, diçka e padëgjuar ndodhi! Doli kuptimi i ri i barrikadës, e cila pas 434 vjetësh hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA! Shpresojmë në mirëkuptimin e aleatëve tanë strategjikë për të mos qenë dakord në këtë pikë. Po fare!

Pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore! Dhe deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së rradhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes!”- shkroi Rama.

Related Articles

Back to top button