Ngjarje

Kurti fton në takim kryetarët e komunave, Idrizi: Po si jo, është kryeministër i vendit dhe i imi

Nesër nga ora 10:00 në Hotel Grand, Kurti me tre ministra do t’i presë në takim kryetarët e komunave të Kosovës.

Buxheti për vitin 2023 dhe kriza energjike pritet të jenë tema të diskutimit. Se a do të marrin pjesë në këtë takim kanë folur disa nga kryetarët e komunave që nuk udhëhiqen nga partia në pushtet- Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetarët Shaqir Totaj, Ferit Idrizi, Smajl Latifi, Fadil Nura, Bali Muharremaj dhe Agim Aliu e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga Kurti.

Ferit Idrizi, kryetar i Vushtrrisë, ka thënë se do t’i përgjigjet kryeministrit kurdo që i fton.

“Po si jo, është kryeministër i vendit dhe i imi, andaj do i përgjigjem çdoherë kur fton. Institucionet lokale dhe qendrore duhet bashkëpunojnë ngushtë nëse duam t’i përmbushim obligimet ndaj qytetarëve”, tha ai.

Për këtë takim nuk ka qenë i informuar kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi. Ai tha se “edhe këtë herë” nuk është njoftuar nga Qeveria.

“Nuk jam në dijeni për detajet rreth takimit, sepse sekretariati i Asociacionit, edhe këtë herë, nuk është njoftuar rreth këtij takimi. Ftesa u ka shkuar kryetarëve”, tha ai.

Në ftesë thuhet se përveç Kurtit, të pranishëm në këtë takim do të jenë edhe tre ministra të Qeverisë së Kosovës, Hekuran Murati, Artane Rizvanolli dhe Elbert Krasniqi.

Related Articles

Back to top button