E dhimbshme: Ky është 32-vjeçari që u gjet pa shenja jete në Fushë Kosovë, Policia nis hetimet

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë pak para mesnatës në Fushë Kosovë, ku është gjetur një i ri pa shenja jete, raporton Gazeta Sinjali.
Mësohet se viktima është 32-vjeçari, Alban Berisha.
Ekipi i Emergjencës kanë bërë me dije se kanë pranuar thirrje për ndihmë, pasi një person ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe dyshohej se është në rrezik për jetën.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë në vendin e ngjarjes, ku me të arritur në banesën e cila gjendet në rrugën ‘Xhemajl Mustafa’, kanë hasur në trupin e 32-vjeçarit i cili ishte i shtrirë përtokë pa ndjenja.
Pas ekzaminimit për shenjat vitale, mjeku ka konstatuar se i riu ka ndërruar jetë.Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’.



