Ngjarje

Kurti-opozitës: Ju keni qejf t’ua themeloj “Zajednicën”, por kjo nuk mund të bëhet

Kurti-opozitës: Ju keni qejf t’ua themeloj “Zajednicën”, por kjo nuk mund të bëhet

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se opozita ka dëshirë që të themelohet “Zajednica” por që sipas tij, kjo nuk mund të bëhet.

“Unë e kam të qartë që ju keni qejf me ua themelu ‘Zajednicën’, por ajo nuk kalon. ‘Zajednicën’ e keni pranu ju, por ajo nuk bëhet. Ju nuk e keni zbatuar, e unë nuk ua zbatoj”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se sa i përket raportimit në Kuvend, ka shprehur gatishmërinë që të diskutojnë kurdo që dëshiron opozita.

“Kurdo që dëshironi unë jam i gatshëm. Sa i përket neneve, unë i kam takuar krerët opozitarë ndaras, por sa i përket diskutimit në Kuvend ju takon juve ta ftoni, a unë i kam ftuar krerët opozitare. Unë nuk dua të ndërmarr hapa që do ta dëmtonin Kosovën për çështjen e konfidencialitetit por Kuvendi i Kosovës është mbi të gjitha. T’ua bëj të qartë edhe njëherë përveç Kushtetutës dhe ligjit janë edhe pesë kushte të tjera”, ka thënë ai.

Kurti lidhur me raportimin i është përgjigjur deputetit të LDK-së, Arben Gashi, i cili ka thënë se opozita e dikurshme kur ishte pjesë e saj edhe VV-ja kishte bërë rezolutë për raportimin e kryeministrit për dialogun.

“Në këtë Kuvend LDK dhe VV kanë bërë rezolutë që i kërkon qeverisë para çdo diskutimi të raportojë vetë në kuvend. Ju e keni propozuar. Konfidencialiteti, a na tregon çka është ai, se kur ish-kryeministrat thoshin kështu ju i quanit tradhti. Kryeministër mos harro se për kauzën tënde kanë vdekur njerëz”, ka thënë ai.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, i është drejtuar Kurtit se po diskutohet për qëndrimin e tij në raport me Asociacionin.

“Kryeministri sot na e dha një lajm që e fut Kosovën në një drejtim të ri e cila do ta themelojë asociacionin. Duket një koordinim i mirë mes dy liderëve, kryeministrit tonë dhe presidentit Vuçiq. Të gjitha çështjet tjera janë të parëndësishme ajo që është e rëndësishme është ndryshimi radikal në diskursin e kryeministrit dhe në drejtimin që po i bën Kosovës. Para pak çastesh deputeti i LVV na pyeti a jemi me Zajednicën, kësaj pyetjeje iu përgjigj kryeministri”.

Teksa Kurti i ka thënë se ndryshimin e tij e vlerësojnë qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.

“I nderuari deputet Tahiri, ndryshimin tim e vlerësojnë qytetarët në zgjedhjet e vitit 2025. Ndërkohë unë ju falënderoj që kur e morët fjalën nuk e thatë asnjërin nga kushtet që duhet të hiqet. D.m.th, ju pajtoheni dhe për këtë ju falënderoj”, ka thënë Kurti.

Tutje ai ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për t’i vendosur gjashtë kushtet që përmendi më herët për t’ia vendosur, siç thotë ai, atyre që kanë kërkuar Asociacionin.

“Këto gjashtë kushte nuk ua kam vënë juve, por po kërkoj mbështetjen tuaj për t’ua vënë atyre qe e kanë kërkuar Asociacionin. Meqë s’pati propozime konkrete, ju falënderoj qe u pajtuat me to”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit këmbënguli se është transparent sa i përket procesit të dialogut, pavarësisht kritikave të opozitës se është e kundërta./Koha.net/

Related Articles

Back to top button