Aksident zinxhiror si pasojë e borës, përfshihen 30 vetura

Në autostradën Stvrtok-Poprad në veri të Sllovakisë, ka ndodhur një aksident zinxhiror ku janë përfshirë rreth 30 vetura, raportojnë mediat sllovake. Krahas atij aksidenti, ka ndodhur edhe përplasja e shtatë veturave në drejtim të kundërt për shkak të motit të keq. Policia njoftoi se nuk ka të lënduar të rëndë, ndërsa rruga është mbyllur në të dy drejtimet në atë pjesë të autostradës.
Pjesa veriore e Sllovakisë është përfshirë nga reshjet e dendura të borës. Është shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Policia apeloi qytetarët që të udhëtojnë vetëm në rastet e nevojshme. Ndërsa sot në Kosovë na pret mot mjaft i ftohtë dhe kryesisht i vranët. Herë pas here priten reshje bore kryesisht në zonat kodrinore-malore, lokalisht edhe në viset tjera. Reshjet pritet të jenë të intensitetit kryesisht të dobët. Në disa vise të Dukagjinit priten edhe intervale kohore me diell, por do të jetë mjaft ftohtë.
Temperaturat pritet të luhaten nga -10 deri në -1 gradë Celsius, por ndjesia subjektive të ftohtit do të jetë më e lartë për shkak të erërave të akullta veriore. Në Shqipëri nesër kryesisht kthjellët, por mjaft ftohtë, ndërsa vranësira e fjolla të dobëta bore priten në viset kontinentale kryesisht në verilindje të vendit. Fjolla bore nesër priten edhe në shumë vise të Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës dhe veriut të Malit të Zi. Po ashtu temperaturat shënojnë ulje të ndjeshme./Korrespodenti/



