Ky është 65-vjeçari që vdiq sot në Qendrën Korrektuese në Dubravë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku ka ndërruar jetë njëri nga të burgosurit që ishte në vuajtje të dënimit. I ndjeri ishte dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, ku edhe është konstatuar vdekja e tij nga mjeku kujdestar, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se viktima është Rifat Musa, 65-vjeçar.
Nuk dihen ende shkaqet e vdekjes, teksa me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’ dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndryshe lajmin për vdekjen e Musës e ka dhënë Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një njoftimi për media.
‘’Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve, njoftojnë opinionin publik se sot rreth orës 09:40 në Spitalin Rajonal të Pejës, ka ndërruar jetë i burgosuri R.M, i lindur më 1958.’’ –thuhet në njoftimin e ShK-së.
Sipas SHKK-së, i ndjeri gjatë kohës që ishte në burg, ka pasur komplikime shëndetësore.
‘’R.M që nga fillimi i mbajtjes së dënimit është pranuar me sëmundje dhe komplikime shëndetësore, ku për shkaqe shëndetësore tanë kohen është trajtuar nga mjekët e Stacionarit dhe specialistët konsultant të fushës”, thuhet tutje në komunikatë.



