Çmimi i banesave në Prishtinë nga 900 deri në mbi 2500 euro për metër katror

Kostoja e ndërtimit në Kosovë, pas më shumë se një viti rritjeje të vazhdueshme, ka rënë. Megjithatë, kjo nuk ka bërë që të bien edhe çmimet e patundshmërive.
Për një banesë të re në Prishtinë, varësisht lokacionit, blerësi duhet të paguajë nga 900 euro deri në mbi 2.500 euro për metër katror.
Nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës thonë se çmimet janë të ngjashme edhe në Prizren – rreth 85 kilometra larg kryeqytetit – ndërsa pak më të ulëta janë në qytetet tjera, si: Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjilan dhe Pejë, raporton REL.
Inflacioni, si gjetiu në botë, ka nisur të rritet në vitin 2021, si pasojë e çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, ndërsa ka vazhduar edhe gjatë 2022-shit, sidomos pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në shkurt të atij viti.
Shtrenjtimi i materialit ndërtimor ka shtrenjtuar më pas edhe banesat – madje mbi 20 për qind.
Për krahasim, një metër katror i një banese në Fushë Kosovë – gjashtë kilometra larg Prishtinës – ka arritur në 650 euro e më shumë në mars të vitit 2022, nga 500 sa ka qenë vitin paraprak. Çmimi atje vazhdon të jetë i njëjtë, sipas Shoqatës së Ndërtimtarëve.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se mesatarja e kostos së ndërtimit në vitin 2021 dhe 2022 ka shënuar rritje deri në 16 për qind krahasuar me vitin 2020.
Por, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, kostoja e ndërtimit ka rënë për 0.6 për qind, tregojnë të dhënat e ASK-së, të publikuara këtë muaj.
“Çmimi i banesave të reja vështirë se mund të shënojë rënie. Nuk ka pasur rënie [aq të madhe] të kostos së ndërtimit”, thotë kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, Faton Hoxha.
“Pothuajse të gjitha shpenzimet dhe materialet ndërtimore kanë çmime të njëjta. Një rënie të vogël të çmimit ka pasur çimentoja dhe hekuri”, thotë ai.
Në një deklaratë për REL-in në mars të vitit të kaluar, Hoxha ka thënë se çmimi i hekurit është rritur për 40%, krahasuar me një vit më herët, ndërsa i çimentos për 80%.
Të dyja këto produkte, sipas tij, kanë pasur rënie të lehtë në fund të vitit të kaluar – çimentoja për 5% dhe hekuri për 10% – por që, sipas tij, vazhdojnë të jenë çmime të larta krahasuar me vitin 2020./GazetaSinjali/



