Ambasadorët e BE’së vulosin liberalizimin e vizave për Kosovën
Ambasadorët e Bashkimit Evropian i kanë dhënë dritë të gjelbër liberalizimit të vizave për Kosovën. Miratimi i heqjes së regjimit të vizave për Kosovën, është hapi i fundit në procedurat e liberalizimit të vizave për Kosovën, për këtë vit.
Ky hap është bërë para miratimit përfundimtar nga Këshilli i Bashkimit Evropian. “Ambasadorët e BE-së miratuan tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën përpara miratimit përfundimtar nga Këshilli i BE-së”, thuhet në njoftimin e Presidencës Çeke, transmeton Paparaci.com.
Kujtojmë se më 22 nëntor përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.
Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës, njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.
Vetëm një ditë pas, propozimi për liberalizimin e vizave, i cili parasheh lëvizjen e lirë të kosovarëve, u hoq nga agjenda e takimit të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së. Shkak u bë situata në Veri të Kosovës.