Ambasadori i SHBA-së në Kosovë për dënimin e Mustafës: Ky nuk është aktgjykim kundër UÇK-së apo Kosovës
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka reaguar pas dënimit ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, me 26 vjet burg nga Gjykata Speciale.
“SHBA mbështet Dhomat e Specializuara në përpjekjet e tyre për të ofruar drejtësi për të gjithë. Ky nuk është një aktgjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, por ka të bëjë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të të pandehurit” – ka shkruar ambasadori Hovenier në Twitter duke shkruar mbi postimin e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, i cili e ka mirëpritur dënimin ndaj Mustafës.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se vendimi i marrë nga Gjykata Speciale është një hap që i ndihmon Kosovës për të garantuar sundim të ligjit dhe për të vënë drejtësi për viktimat.
“Siç e ka thënë edhe trupi gjykues, ky vendim nuk është gjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, mirëpo lidhet vetëm me përgjegjësinë penale të të pandehurit. Ne po ashtu e përshëndesim trimërinë e viktimave individuale dhe dëshmitarëve që janë paraqitur, dhe dënojmë kërcënimet dhe frikësimet ndaj tyre. Pa këta individë të guximshëm, drejtësia nuk do të ishte e mundshme” – ka thënë Price.
Mustafa është dënuar për vrasje të paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar. Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.
Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm për akuzat ndaj tij.
Vendimi ndaj Mustafës përbën aktvendimin e parë të Gjykatës Speciale lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendimin ndaj Mustafës e ka quajtur ‘indinjues’.
Përveç Mustafës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala.
Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave që rëndojnë mbi ta.