Behgjet Pacolli kritika opozitës: S’kanë aspak koordinim ndërmjet tyre, mazhoranca e unifikuar në veprime!

Pas tensioneve të muajve të fundit në veri të vendit dhe publikimit të audio-inçizimeve ndërmjet Kusari-Lila-Simiq, opozita paralajmëroi rrëzimin e qeverisë Kurti.
Megjithëse vazhdimisht ka deklarata nga ana e tyre pë rrëzimin e Qeverisë, asnjë veprim konkret nuk duket në terren.
E kjo sipas kryetarit të Aleanca Kosovare e Re, Behgjet Pacolli, po vjen si pasojë e mos-kordinimit mes tyre.
Pacolli në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se me një unifikim të partive opozitare, hapësira e manovrimit të maxhorancës do të ishte shumë më e vogël.
“Absolutisht po, partitë opozitare janë të pakoordinuar. Po të kishte një koordinim të partive opozitare, hapësira e manovrimit të maxhorancës do të ishte shumë më e vogël dhe kjo hapësirë që i krijohet maxhorancës për të vepruar në mënyrën e vet, shumë herë në mënyrë kontradiktore, pasive, ofenduese për opozitën është faji tek mos-koordinimi i veprimeve të partive opozitare në Kuvend” tha Pacolli për “Gazeta Blic”.
Ai tutje shtoi se çdo veprim i mazhorancës është i unifikuar ndërsa e kundërta po ndodh me opozitën.
“Derisa në çdo veprim maxhoranca është e unifikuar, partitë opozitare dalin për ti sqaru problemet jo me maxhorancën por mes tyre” tha kryetari i AKR-së për “Gazeta Blic”



