Ngjarje

Edi Rama dënon sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX-it si dhe barrikadat në veri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me sulmet në veri të Kosovës.

Përmes Twitterit Rama ka dënuar sulmin mbi patrullën e EULEX-it në veri dhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

“Sulmet mbi EULEX-in janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës” – ka shkruar Rama deri sa ka shtuar se rishfaqja e barrikadave në veri të Kosovës bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë.

Kryeministri Rama ka mirëpritur vendimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shtyrjen e datës së zgjedhjeve në veri të Kosovës.

“Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese!” – ka shkruar ai.

Rama gjithashtu ka thënë se Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre.

“Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor.BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut” – ka përmbyllur ai.

Related Articles

Back to top button