Ngjarje

Ekskluzive: Duda Balje νiktimë e ngacmimit dhe kanοsjes nga personi i cili thotë se ishin në ‘lidhje dashurie’ për 6 vite, ‘çοn’ në këmbë PoΙicinë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, e cila vjen nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje ka denoncuar në Polici se është përballur periudhën e fundit me presion, ngacmime e kërcënime nga një 42-vjeçar, i cili pretendon se për disa vite ka qenë në lidhje dashurie me deputeten Balje, mëson Gazeta Sinjali nga burime brenda partisë, ku bën pjesë Balje.

Ditë më parë, si rezultat i shqetësimit të përjetuar tash e një kohë, deputetja Balje ka kërkuar ndihmën e Policisë, për ta mbrojtur nga ngacmimet dhe kanosja serioze për jetën, që ajo pretendon se ka marrë nga i dyshuari B.S.

Denoncimi i saj menjëherë ka aktivizuar Policinë për arrestimin e të dyshuarit, i cili pas intervistimit dhe përballjes me denoncimin e deputetes Balje, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë dhe në ndërkohë është kërkuar dhe aprovuar masa e paraburgimit për 30 ditë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se deputetja Balje dyshohet se u përballë për një kohë të gjatë me ngacmime, kanosje, pengim në aktivitetin e saj ditor, madje shqetësimet kanë shkuar aq larg sa që i dyshuari ka filluar me thirrje telefonike edhe te kolegët, duke mos kursyer as bashkëshortin e saj.

Gazeta Sinjali iu sjellë detajet e rëndësishme për këtë rast, që po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe është konfirmuar pjesërisht nga deputetja Balje, si dhe nga avokati i të dyshuarit.

Si u zbulua rasti, çka pretendon i dyshuari dhe çka deklaroi Balje?

Persona të afërt me anëtarët e partisë ku bën pjesë deputetja Balje, në kushte anonimiteti, kanë rrëfyer për Gazetën Sinjali detaje nga ky rast që ka tronditur Baljen dhe njerëzit e saj të afërt, të cilët dyshohet se janë trazuar nga thirrjet e shumta telefonike, të personit të dyshuar. I dyshuari tashmë ndodhet nën masën e paraburgimit dhe po hetohet për veprat ngacmim dhe kanosje. Ai ka mohuar dyshimet e ngritura dhe është mbrojtur duke pretenduar se nuk ka të bëjë me ngacmim, por me një raport të afërt, të cilit i është referuar si lidhje dashurie.

Kjo është konfirmuar për Sinjalin edhe nga avokati i të dyshuarit, i cili tutje shtoi se B.S., pretendon se “ka pasur raporte, lidhje dashurie një kohë të gjatë… ai është deklaru vet. Ai e thojke lidhje. Është përmendur edhe në deklaratat e tij që ka pasur takime, telefonata, shkëmbime sms-ësh.”

Sipas informacioneve të para, për gjashtë vite me radhë, deputetja Duda Balje njihet me të dyshuarin, i cili është nga Deçani, kohën e fundit ka jetuar mes Pejës e Zvicrës, për shkak të biznesit të tij, të cilin e menaxhon. Gjatë periudhës kur pretendon se ka pasur kontakt me deputeten, ai po dyshohet se në vazhdimësi ka ushtruar presion, duke e ngacmuar e kërcënuar, me qëllim të frikësimit, si dhe duke i përmendur se në rast se ajo refuzon të komunikojë, ai do t’i publikojë disa foto e video që i posedon./GazetaSinjali/

Related Articles

Back to top button