Escobar sot i shkon sërish në zyrë Kurtit, me të edhe Lajçak
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar sot do t’i shkojë sërish në zyrë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Me të, do të shkojë edhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, takimi i Kurtit me Escobarin dhe Lajçakun është caktuar të zhvillohet në orën 17:30.
Escobar ishte edhe dje në zyrën e Kurtit.
Pas takimit, përfaqësuesi amerikan tha se kjo ishte një vizitë rutinë në Prishtinë.
I pyetur për situatën në veri të Kosovës, Escobar ka thënë së për këtë nuk mund të komentojë.
Situata mbetet e tensionuar në veri të vendit, ndërkohë që ndërkombëtarët po përpiqen t’i nxisin palët që të përqendrohen në dialog.
Së fundmi, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq iu dha versioni i ri, i përditësuar i planit franko-gjerman për arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve.