Shtëpia më e madhe e futbollit FIFA ka marrë vendim për ta dënuar Kombëtaren e Serbisë, për fyerjet e tifozëve serbë drejtuar Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit – në ndeshjen e tretë të fazës së grupeve në Kampionatin Botëror, që u mbajt në Katar.
Sipas njoftimit, FIFA e ka dënuar Serbinë me 50 mijë franga dhe një pjesë e stadiumit do të jetë e mbyllur për tifozët serbë në ndeshjen e ardhshme, njofton Klankosova.tv.
“Komiteti Disiplinor i FIFA-s e ka sanksionuar Federatën e Futbollit të Serbisë me një gjobë prej 50 mijë frangave dhe një mbyllje të pjesshme të stadiumit (25% e vendeve të mbyllura) në ndeshjen e radhës zyrtare të FIFA-s që do të luhet në nivelin “A” nga kombëtarja e saj për meshkuj”, thuhet në njoftim.
“Për shkelje të neneve 13 (Diskriminimi) dhe 12 (Sjellja e pahijshme e lojtarëve dhe zyrtarëve) të Kodit Disiplinor të FIFA-s dhe thirrjet nga mbështetësit serbë dhe sjelljen e keqe të ekipit (sanksione individuale për shtatë lojtarë) gjatë ndeshjes Serbi-Zvicër në kuadër të FIFA World Cup”.
Ndryshe, në këtë ndeshje Zvicra ka triumfuar ndaj Serbisë me rezultat 3-2, teksa njërin nga golat e kishte realizuar Xherdan Shaqiri.
Kujtojmë, Federata Serbe e Futbollit ishte gjobitur edhe më parë nga FIFA me 23 mijë e 300 dollarë për një afishe në dhomat e zhveshjes ku shihej harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe mbishkrimin “nuk ka dorëzim”.
FFK-ja ishte ankuar zyrtarisht në FIFA, për afishen që ishte e varur mbi dollapët e dy lojtarëve serbë gjatë ndeshjes që Serbia e luajti kundër Brazilit.