Ngjarje

Franca më neutrale se Gjermania për ngjarjet në Veri, nuk e fajëson Vuçiqin

Dy shetet e fuqishme të Bashkimit Evropian, Franca dhe Gjermania kanë bërë reagime për situatën në veri të Republikës së Kosovës, por që dallojnë thellësisht në përmbajtje. Në reagimin e kryediplomates gjermane, Annalena Baerbock është fajësuar në mënyrë direkte Serbia, ndërkohë në reagimin e MPJ-së franceze s’përmenden fare sulmet ndaj Policisë së Kosovës, por vetëm ato ndaj EULEX-it.

Ministria e Punëve të Jashtme e Francës përmes një komunikate për media të publikuar gjatë ditës së hënë më 12 dhjetor ka reaguar lidhur me situatën në veri të Kosovës. Nga Parisi zyrtar kanë thënë se dënojnë sulmet ndaj EULEX-it dhe të gjitha aktet e dhunës në terren. Në këtë komunikatë nuk përmenden fare sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

“Nxitim palët që të tregojnë përmbajtje maksimale dhe ndjenjë përgjegjësie për të ulur tensionet”, kanë thënë nga MPJ e Francës.

Tutje thonë se mbështesin plotësisht ndërmjetësimin e dialogut nga Bashkimi Evropian, dialog në të cilin duhet bërë progres për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme e që hap perspektivën evropiane për të dy shtetet.

“Franca fuqishëm inkurajon dy palët që të rinisin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, kanë shtuar tutje.

Ky reagim i francezëve dallon nga ai që ka pasur ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Analena Baerbock e cila në mënyrë të hapur dhe të drejtpërdrejt ka fajësuar Serbinë për atë që po ndodh në veri të Kosovës.

Related Articles

Back to top button