Ngjarje

Gexha, për vrasjen e shtatzënës: E tronditur sa mezi po shkruaj, organet relevante të veprojnë pa kompromis

Ushtruesja e detyrës së ministres së shëndetësisë, Dafina Gexha, është shprehur e tronditur me rastin e vrasjes së gruas shtatzënë në oborr të Gjinekologjisë.

Me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, që siç shprehet, mezi po e shkruan, i bëri thirrje organeve relevante që të veprojnë pa kompromis, duke i shprehur ngushëllime familjarëve e të afërmve të viktimës.

“Plumba mbi një grua – burim i jetës, që nuk e lanë të bëhet nënë. Plumba që shuan një jetë që sapo po zinte fill. Në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë ku gruaja po priste të bëhet nënë!”, shkroi Gexha.

Mjekja po ashtu kujton se si para 17 vjetësh ishte vet e shtruar po në këtë klinikë, që të nesërmen të lindte fëmijën e saj të parë, fat që, siç thotë, kësaj gruaje sot ia morën plumbat e shkrepur nga ky burrë mizor.

“E tronditur, sa mezi po shkruaj, shpreh indinjatën më të thellë për këtë rast makabër. Qëndroj pranë e solidarizohem edhe me punonjësit shëndetësor e gratë e shtruara në këtë klinikë që ky akt makabër i ka tronditur”.

“Si një grua dhe nënë e dy vajzave, si mjeke, nuk dua që ato e asnjë grua e vajzë tjetër të ndihen të pasigurta në shoqërinë tonë. Për këtë do të angazhohem me të gjitha forcat që kam”, shprehet Gexha.

Related Articles

Back to top button