Gjoshi i PDK-së: Kosova një shtet i poshtëruar e i fyer nga Qeveria Kurti

Anëtari i Kryesisë së PDK-së Betim Gjoshi ka reaguar pas deklarimit të kryeministrit, Albin Kurti se do të shkohet në zgjedhje të reja.
Gjoshi ka komentuar se ku ndodhet Kosova pas 1 jave të veprimeve të Qeverisë Kurti.
“Republika e Kosovës është një shtet i poshtëruar dhe i fyer”, shkruan ai mes tjerash duke i shtuar se tani Kosova nuk ka shumë miq.
Jo vetëm kaq, por vetëm pas një jave të betejës së veshur me fjalë të mëdha për sovranitet e ligjshmëri, Albin Kurti edhe më fuqishëm nisë vendosjen në terren të Zajednicës së rrezikshme sipas Statutit të shkruar nga Ekipi Menaxhues dhe Nenit 7 të marrëveshjes për Vetëmenaxhimin e serbëve (Autonominë)”, ka shkruar ai në Facebook.
Reagimi i plotë:
KU JEMI PAS NJË JAVE?
Përgjigjja është e qartë: Republika e Kosovës, një shtet i poshtëruar dhe i fyer!
Tashmë është bërë e zakonshme që pas çdo përpjekjeje, Albin Kurti po e shtron rrugën e tij të dështimit në veri dhe të dorëzimit. Fatkeqësisht, aksioni solli pasoja të mëdha për Republikën e Kosovës, e poashtu edhe dorëzimi.
Ashtu siç me qeverisjen e tij ka vështirësuar e shtrenjtuar jetën e përditshme të qytetarëve, njëjtë po e vështirëson edhe zhvillimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës duke e konfliktuar me shtetet aleate.
Pas një jave, Republika e Kosovës nuk ka më shumë sovranitet në katër komunat veriore. Përkundrazi, Albin Kurti me politikën e tij antishtetërore, ka arritur që ta qetësojë presidentin serb, Vuçiq, i cili kohëve të fundit po përballej me protesta të brendshme dhe në arenën ndërkombëtare ai ishte etiketuar si Gangster nga New York Times.
Pas një jave, Republika e Kosovës nuk ka më shumë miq. Përkundrazi, shteti ynë ka hyrë në listën e shteteve që sanksionohen nga ShBA-ja. Vetëm politikanët që veprojnë kundër historisë shqiptare i cenojnë raportet shqiptaro-amerikane.
Pas një jave, për çështje të brendshme të shtetit të Kosovës, siç janë zgjedhjet, presidentja Osmani negocion me Aleksandër Vuçiqin dhe pranon që të shkelën ligjet e Kosovës duke detyruar kryetarët që të dorëhiqen pas një muaji a dy.
Pas një jave, duke rrezikuar jetën e policëve të Kosovës, ushtarëve, gazetarëve e të qytetarëve, Albin Kurti nuk ka asnjë sukses. Përkundrazi, bashkë me Vjosa Osmanin duhet t’i thërrasin katër kryetarët dhe t’ia kërkojnë poshtërimin e radhës: Jepni dorëheqje!
Jo vetëm kaq, por vetëm pas një jave të betejës së veshur me fjalë të mëdha për sovranitet e ligjshmëri, Albin Kurti edhe më fuqishëm nisë vendosjen në terren të Zajednicës së rrezikshme sipas Statutit të shkruar nga Ekipi Menaxhues dhe Nenit 7 të marrëveshjes për Vetëmenaxhimin e serbëve (Autonominë).



