Ngjarje

Gjykimi për krime lufte, i akuzuari Remzi Shala ballafaqohet me deklarimet e dëshmitarëve

Dëshmitarë të rinj kanë dhënë dëshminë e tyre në gjykimin për krime lufte që po zhvillohet ndaj ish-luftëtarit të UÇK-së, Remzi Shala.

Shala nga Prokuroria Speciale po akuzohet se në qershor të vitit 1998 bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së, për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi ishte duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

Përteshi pak ditë më pas ishte gjetur i vdekur pranë rrugës në fshatin e tij – Duhël të Suharekës.

Në Gjykatën e Prizrenit sot janë ballafaquar dëshmitarët Sejdi Përteshi me Xhemajli Elshanin.

Dëshmitari Xhemajli Elshani ka kundërshtuar dhe e ka quajtur të pavërtetë deklaratën e dhënë nga i akuzuari Remzi Shala.

Elshani ka konsideruar se komandant “Guri” nuk ka bërë krime.

Sipas tij, komandanti e ka larguar Remzi Shalën dhe të tjerët nga Grajqefci.

Ky dëshmitar mohoi që gjatë kësaj kohe të jetë takuar me të ndjerin Haxhi Përteshi.

“Mua më kanë tërheqë prej atje Remzi Shala dhe Ferat Shala. Unë i kam pasë duart dhe sytë e lidhura dhe jam rrëzuar disa herë në tokë dhe Remziu m’i ka zgjidhur sytë dhe më ka dërguar në fshatin Luzhnicë. Asnjëherë nuk jam takuar me të ndjerin Haxhi Përteshi në Luzhnicë” – tha ai.

E deklaratat e Remzi Shalës i kundërshtoi edhe vëllai i viktimës, Sejdi Përteshi, i cili pohoi se Haxhi Përteshi ishte marrë nga 6 persona.

“Nuk janë të vërteta deklarata e Remzi Shalës, është marre për të. Unë mbetem pranë deklaratave që i kam dhënë. Dua të shtoj se vëllai im është marrë prej 6 personave, unë nuk kam qenë aty por e kanë marrë gjallë dhe e kanë pru të vdekur. Për shpifjet do ta ndjekë Remzi Shalën deri ku të mundem” – u shpreh vëllai i viktimës.

Dëshmitari Sejdi Përteshi shtoi se në qershor kur ishte marrë i ndjeri Haxhi Përteshi, ai kishte qenë në Malishevë bashkë me Shaban Shukullin.

Me vërejtje përfunduan deklarimet e dëshmitarëve nga ana e Remzi Shalës. I njëjti vlerësoi se dëshmitarët nuk po e thonë të vërtetën ngase janë të frikësuar.

Vërejtje për dëshmitarin Sejdi Përteshi kishte edhe Blerim Mazreku, avokat i të akuzuarit.

Mazreku theksoi se deklaratat e këtij dëshmitari nuk përputheshin me deklaratat e dhëna më herët.

Në fund të seancës kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, aprovoi propozimin mbrojtësit të familjes së viktimës, Asdren Hoxha, për dëgjimin e dy dëshmitarëve.

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan për më 20 janar dhe 13 shkurt 2023.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së, kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël” – thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Remzi Shala është dënuar me 14 vite burgim, kurse Gjykata e Apelit përmes një vendimi i ka zbutur dënimin në 10 vite burgim. Pas kësaj, Gjykata Supreme ka anuluar këto dy gjykime duke e kthyer rastin në rigjykim.

Related Articles

Back to top button