Ngjarje

Grupi “Wagner” mund të ketë hyrë brenda Kosovës, alarmojnë ekspertët e sigurisë

Grupi ushtarak “Wagner” po vlerësohet se tashmë mund të ketë hyrë brenda territorit të Kosovës. Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se ky grup ushtarak rus, cenon sigurinë në veriun e Kosovës. Gjatë javës së kaluar, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se në protestën e organizuar nga serbët në afërsi të pikës kufitare në Jarinje, mund të ketë pasur edhe grupe kriminale.

Në mesin e këtyre personave që protestuan të dielën në afërsi të Jarinjes, ka persona të cilët u përkasin grupeve kriminale.

Mes tyre, dyshohet të kenë qenë edhe anëtarë të “Wagner”, një grup ushtarak rus të cilët funksionojnë si mercenarë.

Eksperti i Sigurisë, Fadil Kajtazi, tregon për rrezikshmëritë që mund t’i sjellë ky grup.

Përbëhen nga ish-agjentë të shërbimeve sekrete ruse të cilët kanë një përvojë në këto aktivitete dhe të cilët potencialisht mund të shkaktojnë probleme përmes koordinemeve të tyre agjenturore por edhe terroriste”, ka theksuar Fadil Kajtazi – ekspert i sigurisë.

E ky grup vlerësohet se tashmë mund të ketë hyrë edhe në Kosovë.

“Barikadimi i tyre, lëvizja e këtyre individëve që nuk janë pjesë përbërëse e komunitetit në atë pjesë, po dëshmon se ka elemente të cilët janë pjesë përbërëse të Wagner, ka elemente që janë pjesë përbërëse të strukturave të sigurisë të shtetit të Serbisë, por njëkohësisht ka elemente të krimit të organizuar të cilët janë duke vepruar nën urdhërat dhe nën komandën e këtyre grupeve paramilitare dhe shtetërore të Serbisë”, ka deklaruar Drizan Shala – ekspert i sigurisë.

Për shkak të shkallës së rrezikshmërisë, KFOR-i shtoi forcat në Jarinjë.

Sipas ekspertit Kajtazi, Serbia po përdorë disa mënyra për ta destabilizuar situatën në Kosovë.

“Më herët i kemi thënë luftë speciale, tani po i themi luftë hibride, ku pas një strategjie e cila quhet duke shkaktuar dhe menaxhuar kriza. Në kuadër të kësaj strategjie përfshihen një mori taktikash, ku ajo më kryesorja është të luhet mes asaj që është ligjore dhe joligjore”, ka thënë Fadil Kajtazi – ekspert i sigurisë.

Që nga gjashtë dhjetori, kur u sulmuan zyret e Komisioneve Komunale Zgjedhore në komunat veriore të Kosovës, në disa raste është raportuar për gjuajtje me armë zjarri mes grupeve kriminale dhe Policisë së Kosovës, si dhe për sulme me mjete shpërthyese./RTV Dukagjini/

Related Articles

Back to top button