Haxhiu njofton se Komisioni i Venecias voton pro ndryshimeve në projektligjin për Byronë shtetërore
Komisioni i Venecias voton pro ndryshimeve në projektligjin për Byronë shtetërore.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se Komisioni i Venecias ka votuar pro ndryshimeve në projektligjin për Byronë Shtetërore, për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme.
“Në seancën e 133-të të Komisionit të Venecias, të mbajtura sot në Venecia të Italisë, prezantova ndryshimet në projektligjin për Byronë shtetërore, për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar, hartuar nga grupi punues i komisionit për legjislacion, në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Jam shumë e lumtur që pas prezantimit dhe diskutimit Komisioni i Venecias ka votuar pro ndryshimeve të tilla, duke konstatuar adresimin e rekomandimeve dhe problemeve të identifikuara në opinionin e muajit qershor të këtij viti”, tha Haxhiu në një video të publikuar në Facebook.
Ministrja Haxhiu tha se raportuesit për Kosovën theksuan se tashmë projektligji i ri paraqet një sistem të zbatueshëm të konfiskimit civil.
“Për më shumë, sipas tyre, bashkëpunimi me autoritetet e Kosovës ishte një shembull i mrekullueshëm, i cili duhet të shërbejë edhe për raste tjera. Në fund falënderoj edhe njëherë të gjithë anëtarët e grupit punues, përfaqësuesit e institucioneve, ekspertët dhe shoqërinë civile, për kontributin që kanë dhënë në finalizimin e kësaj nisme të rëndësishme e reformuese”, përfundoi Haxhiu.