Hoti: Inflacioni varfëron familjet – qeveria mban 700 milionë euro në bankë
Deputeti Avdullah Hoti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se inflacioni varfëron buxhetin e familjeve, ndërkohë që Qeveria e Kosovës mban 700 milionë euro në bankë.
Sipas tij, këto mjete nuk janë shpenzuar as për projekte kapitale në rrugë e çerdhe, në spitale apo në armatim të ushtrisë.
“Inflacioni mesatar në tetor 2022, krahasuar me tetorin 2021, ka arritur në 12.7%. Por mesataret ndonjëherë e shtrembërojnë realitetin. Njerëzit nuk blejnë çdo ditë frigoriferë, pajisje shtëpiake apo vetura. Ata nuk ndërtojnë çdo vit shtëpi apo nuk blejnë banesë. Por njerëzit çdo ditë, çdo javë apo çdo muaj blejnë bukë, qumësht, vezë, vaj ushqimor, sheqer, mish, si dhe paguajnë energjinë, mbushin veturën me naftë apo blejnë dru për dimër. Çmimet për këto mallra janë rritur nga 20% deri në 56%”.
“Kjo i ka varfëruar familjet. Qeveria nuk i ka rritur pagat, por krenohet me rritjen e të hyrave buxhetore. Sot janë rreth 700 milionë euro në llogarinë bankare të Qeverisë, e jo në xhepat e qytetarëve përmes uljes së TVSH-së në ushqime dhe në naftë, si dhe heqjes së akcizës në naftë”.
“Këto mjete nuk janë shpenzuar as për projekte kapitale në rrugë e çerdhe, në spitale apo në armatim të ushtrisë. Këto mjete po rrinë në bankë dhe po i zhvlerëson inflacioni”.