KE pranon se qortimi për Malin e Zi dhe Maqedoninë pse s’i vendosin viza Kosovës ishte gabim: Do të përmirësohet
Një raport i Komisionit Evropian ku kritikoheshin Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi pse s’i kanë vendosur regjim të vizave Republikës së Kosovës është kritikuar jashtëzakonisht shumë dhe ka nxitur mjaftë debat në Kosovë.
Për këtë kishte reaguar edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami. Megjithatë ambasadori Bajrami është lajmëruar edhe një herë sot lidhur me këtë çështje duke treguar se Komisioni Evropian do të përmirësojë raportin meqë aty është shkruar gabimisht se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut duhet t’i vendosin viza Kosovës.
“Komisioni i BE-së sapo njoftoi se do të korrigjojë Raportin e tij, i cili gabimisht nënkuptonte se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut duhet të vendosin viza për Kosovën”, ka shkruar ambasadori Bajrami.
“Mund të konfirmoj që s’ka ndryshim të pozicionit të Komisionit Evropian. Komisioni mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën. Për këtë cështje specifike, ne e kemi sqaruar derisa folëm dhe do të lëshojmë raportin e përmirësuar”, ka thënë një zëdhënëse e Komisionit Evropian.