Ngjarje

(FOTO) KFOR shton prezencën në veri

KFOR ka krijuar një kordon me blinda dhe tela të gjembuar në zonën ku janë policia në veri të vendit.

Kordonet janë vendosur në mes bazës së policise kufitare dhe pikes kufitare e poashtu në pjesën e poshtme. Situata e njëjtë është edhe në Bërnjak.

Jarinjë janë vendosur trupat amerikane, ndërsa në Bërnjak, janë vendosur polakë dhe letenozët.

Disa nga rrugët në veri të Kosovës, vazhdojnë të jenë të bllokuara për të nëntën ditë më radhë, si pasojë e vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë si shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq.

Policia e Kosovës ka njoftuar mbrëmë se gjatë natës ka vazhduar vendosja e një barrikade të re në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan, për të vazhduar pengimin e lirisë së lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative.

Sipas Policisë, që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit, situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë dhe dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Më 10 dhjetor 2022 pasdite në veri janë dëgjuar alarmet. Pas këtyre alarmeve ka pasur grumbullim të qytetarëve serbë dhe bllokim të rrugëve me barrikada në Rudarë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të bllokimit të rrugëve ka mbyllur për qarkullimin në pikën kufitare në Jarinjë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin pika të tjera kufitare për të hyrë në Kosovë ose për të dalë nga Kosova.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq. Sipas Policisë, Pantiq po dyshohet se ka organizuar sulmin në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë. Ai po mbahet në paraburgim për veprat penale terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues.

Më 8 dhjetor 2022, rreth orës 23:00, një veturë e Policisë së Kosovës derisa po patrullonte në fshatin Serbovc të Komunës së Zveçanit është sulmuar dhe nga ky sulm ka mbetur i plagosur një zyrtar policor. Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, në orët e hershme të mëngjesit, persona të maskuar kanë sulmuar ekipin e KALLXO.com, i cili gjendej në Lagjen e Boshnjakëve për të raportuar në lidhje me zhvillimet atje.

Related Articles

Back to top button