Ngjarje

Kjo është gjendja shëndetësore e 14-vjeçarit që u sulmua në Veri të Mitrovicës

Teksa tensionet dhe incidentet në Veri po vazhdojnë, sonte u bë e ditur se një 14-vjeçar ka qenë cak i sulmit nga “grupe kriminale”. Kështu njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se situata atje është e rënduar dhe barrikadat duhet të hiqen.

I mituri që u sulmua është jashtë rrezikut për jetë dhe tashmë është liruar nga spitali. Kjo u konfirmua nga drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës, Luljeta Zhubi.

“Një 14 vjeçar ka kërkuar ndihmë mjekësore pasi është sulmuar në veri. Pas ofrimit të trajtimit është liruar për në shtëpi dhe gjendja e tij konsiderohet jashtë ndonjë rreziku”, tha ajo.

Sipas ministrit, fëmija u sulmua rreth orës 14:00, i cili ishte duke shkuar në lagjen ku po banon, në Kroin e Vitakut.

“Fëmija ka lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor, policia është duke u angazhuar maksimalisht për zbardhjen e këtij rasti, dhe kam porosi për këta kriminelë, se do t’i shfrytëzojmë kapcitetet që ata të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë, që të jenë të përgjegjshëm ndaj këtyre akteve kriminale”, tha ai.

Ndryshe, nga 10 dhjetori, grupe të serbëve në veri të Kosovës kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Me këtë veprim, ata i janë përgjigjur arrestimit të ish-policit serb, Pantiq, i dyshuar për një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Related Articles

Back to top button