Klinaku paralajmëron Kurtin se “do të ketë probleme çdo ditë” nëse veteranët hiqen nga Ligji i Pagave
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku, ka paralajmëruar protesta në oborrin e Kuvendit të Kosovës, nëse do të dalë për lexim të dytë projektligji që i heq veteranët nga paga minimale.
Në një intervistë për Ekonominë Online, Klinaku ka thënë se degët e kësaj organizate janë informuar dhe se në momentin kur do të sillet në seancë për lexim të dytë, do të thirret protestë
Klinaku ka thënë se nëse i njëjti projektligj kalon, do të ketë probleme të mëdha Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti.
“Ne vetëm jemi duke u përgatit, ne që nga atëherë e kemi thënë se qëndrimi jonë vazhdon të jetë i palëkundur dhe kemi thënë se do të dalim prapë në protestë dhe jemi duke u përgatitur. I kam njoftuar degët që të aktivizohen, sepse ne do të jemi në oborr të Kuvendit të Kosovës për ta kundërshtuar një shkelje që këta po ia bëjnë veteranëve të luftës. Edhe nëse kalon, do të ketë probleme Qeveria për çdo ditë, nuk do ta lëmë rehat që të punojë. Përderisa shkel ligje, kjo Qeveri nuk meriton që të jetë e tillë por duhet të shkojë në shtëpi”, tha Klinaku.