Ngjarje

Kryeministri kroat i reagon presidentit Milanoviq: Kosova është shtet i pavarur, s’e ka aneksuar askush

“Sa jam unë në dijeni askush nuk e ka aneksuar Kosovën. Asnjë shtet. Kosova është shtet i pavarur të cilin e ka njohur Kroacia. Aneksim është kur Rusia okupon territor të Ukrainës, organizon referendum të rrejshëm dhe ia bashkon ato pjesë Rusisë. Kosova është shtet i pavarur, sovran, që e kemi njohur. Askush nuk e ka aneksuar“, tha kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Deklarata e presidentit të Kroacisë Zoran Milanoviq se „Serbisë iu rrëmbye Kosova“ ka shkaktuar indinjatë të madhe në Kroaci dhe është dënuar njëzëshëm nga i tërë spektri politik.

Ndonëse Milanoviq tha se ai „e mbështet Kosovën dhe e ka pranuar pavarësinë e saj“, krahasimi që i ka bërë aneksimit të pjesëve të Ukrainës nga Rusia me pavarësinë e Kosovës është dënuar nga shumë politikanë në Kroaci.Këtë e ka dënuar edhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviq me të cilin presidenti Milanoviuq është në një luftë verbale tash e disa muaj.

Plenkoviq ka thënë se Milanoviq me deklaratat e tij “po e turpëron Kroacinë“ por ka shtuar se “për fat të mirë miqtë tanë në bashkësinë ndërkombëtare dhe shtetet mike e dinë se çfarë ndodhë në Kroaci dhe cilat janë qëndrimet e kujt“.

Plenkoviq ka rikujtuar se Kroacia ishte ndër të parat që e ka njohur Kosovën si shtet dhe nuk pranon krahasime dhe pohime për “aneksim“.

Related Articles

Back to top button