Interesante

Kryeprishtinalia që s’përton ta shpenzojë buxhetin, çfarë bëri për 1 vit

LDK-ja në zgjedhjet e shkurtit të 2021’s shënoi humbjen me të thellë në historinë e saj, por në fund të vitit që shkoi partinë e gëzoi fitorja e Përparim Ramës duke i sjellë një triumf që reflektoi edhe në shkallë vendi. Arkitekti nga Londra që erdhi në Prishtinë për të marrë drejtimin e kryeqytetit dje i bëri 1 vit në zyrë. Për dallim nga Kryeministri Kurti që po tregohet dorështrënguar, Rama po tregon se nuk përton t’i shpenzojë paratë e buxhetit. Sipas zëvendësit të tij, me Ramën në krye, komuna ka regjistruar 300 aktivitete prokurimi, dhe ka nënshkruar mbi 120 kontrata të reja.

Kanë kaluar një vit prej kur Rama e ka nisur mandatin e tij katërveçar si kryetar i Prishtinës. Ai dje i falënderoi qytetarët për “mbështetjen e vazhdueshme” ndërsa tha se sfidat janë kapërcyer.

“Të dashur qytetarë, udhëtuam plot një vit së bashku prej ditës që ma dhatë votëbesimin për të qenë kryetar i Kryeqytetit. Fillimet janë plot sfida, të cilat vetëm me dedikimin, energjinë dhe punën e pandalshme të krejt ekipit, i kapërcyem për të vënë në rrugën e duhur projektet dhe planet për transformimin e Kryeqytetit dhe përmirësimin e jetës së gjithësecilit”, shkroi Rama.

Ai premtoi shumë dhe u paraqit tejet bindës në një debat parazgjedhor, përballë kandidatit të LVV-së, Arben Vitisë. Në partinë në pushtet ishin të bindur se do ta fitonin garën e kryeqytetit, pasi Vitia konsiderohej si kartë e rëndësishme dhe fitorja shumë e nevojshme. Për këtë gjë, Vitia kishte hequr dorë nga pozita e ministrit të Shëndetësisë.

Siç ndodh zakonisht, me këdo, në pushtet gjërat shihen ndryshe. Gjatë këtij viti në qeverisje, Rama më shumë u kritikua sesa që u duartrokit.

Përparim Rama i dha 206 premtime gjatë fushatës zgjedhore, prej të cilave deri tani janë realizuar vetëm shtatë. Sipas një raporti të institutit GAP, 12 premtime të Ramës janë përmbushur pjesërisht.

Në shtatë premtimet e përmbushura në Ramës, sipas GAP-it hyjnë ato për eliminimin e diskriminimeve gjinore në konkurset publike të Komunës, ndarja e bursave për nxënësit, ofrimi i informatave orientuese për turistët si dhe zonimi i parkingut në disa lagje.Por, Nënkryetari i Komunës së Prishtinës Alban Zogaj prezantoi një fotografi tjetër.

“Po punohet në shumë fronte! Vetëm këtë vit kemi procesuar rreth 300 aktivitete prokurimi, dhe janë nënshkruar mbi 120 kontrata të reja!” shkroi ai.

Të mërkurën, Lëvizja Vetëvendosje që mbeti opozitë në kryeqytet mbajti një aktivitet duke vendosur në sheshin “Nënë Tereza” 12 pano për 12 muajt e qeverisjes së Ramës.

Drejtuesi i grupit të asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla tha se askush më herët s’ka realizuar më pak premtime sesa Rama gjatë vitit të parë në krye të Prishtinës. Sipas tij, gjatë këtij një vitëshi ka ndodhur “kapje klasike e ndërmarrjeve publike komunale”, punësime të militantëve, u janë dhënë “kontrata njerëzve të afërt me partinë në pushtet” e se është abuzuar me buxhetin komunal.

Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, kishte reaguar për tenderin 12 milionë eurosh për këshilla-konsulencë të shpallur nga kryetari Përparim Rama. Ata e kishin quajtur kontratë të dyshimtë, pasi ka “kosto tejet të lartë dhe është favorizuese”.

Gjendja e rrugës “Muharrem Fejza” ishte bërë çështje e rëndësishme dhe temë për një kohë. Asfaltimi i saj përfundoi disa muaj pasi Rama e mori qeverisjen dhe këtë e konsideroi sukses jo të vogël.

Disa projekte kanë nisur. Së fundmi nisën punimet për “njërin prej projekteve më të rëndësishme të kryeqytetit”, siç tha Rama – Unazën e Brendshme. Ajo do ta lidhë rrethrrotullimin e lagjes “Arbëria” me atë të lagjes “Lakrishte”. Rama thotë se kështu do të “lehtësohet trafiku”

Zhdukja e kaosit në trafik ishte pjesë e rëndësishme e premtimeve të Ramës. Disa testime që u bënë i nervozuan shumë qytetarët. Rama disa herë vendosi t’i bënte njëkahëshe rrugët kryesore të Prishtinës dhe ato u bllokuan krejtësisht.

Në muajt e parë të qeverisjes, Përparim Rama kishte nisur një negocim të shpejtë me Dukagjin Lipën për ta gjetur një marrëveshje për një tokë 17-hektarëshe, pronë e Komunës. Rama ishte pajtuar t’ia jepte Lipës atë tokë për shfrytëzim për 99 vjet.Babai i këngëtares së njohur, Dua Lipa, kishte arritur t’i fuste në marrëveshje një sërë kushtesh për Komunën e Prishtinës, në mënyrë që kjo e fundit t’ia japë tokën, që për qëllim kryesor kishte organizimin e festivalit “Sunny Hill”.Marrëveshja e nënshkruar më 4 prill ishte miratuar në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, por jo edhe nga Qeveria.

Pas bllokimit të kësaj kontrate nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Rama e pati përplasjen e parë me nivelin qendror. E akuzoi Qeverinë se po e heq nga vendi një festival të madh ndërkombëtar. Por në fund, palët u pajtuan që festivali të mbahej në Gërmi dhe që çështja e shfrytëzimit të tokës 17-hektarëshe të diskutohet më vonë.

Emërimet partiake e karakterizuan edhe njëvjetëshin e qeverisjes së Ramës. Ish-asamblisti i LDK-së, Fisnik Osmani, për shembull, u zgjodh kryeshef i Termokosit. Gjithashtu, Sokol Havolli, ish-këshilltar i ish-kryeministrit Isa Mustafa, u vu në krye të ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”.Në emërime përfitoi edhe PDK-ja, parner i koalicionit me LDK-në në kryeqytet.

Së fundmi, Rama ka reaguar me shqetësim se Qeveria e Kosovës, sipas tij, do të ridestinonte 38 milionë euro nga buxheti i Prishtinës.Rama kundërshtoi specifikisht fjalinë e paragrafit 6 të Nenit 9 të Projekt-buxhetit për vitin 2023, ku thuhet se “Të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar”.

“Unë si Kryetar i Kryeqytetit, i zgjedhur për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesin e qytetarëve të Prishtinës, jam i obliguar të siguroj që të hyrat e tyre të kthehen në investime zhvillimore për Prishtinën. Në këtë rast, janë rreth 38 milion Euro të hyra vetanake të mbledhura nga qytetarët e Prishtinës, të cilat nuk mund të tjetërsohen për t’ia shpërndarë institucioneve dhe komunave tjera. Dua të rikujtoj edhe një element të rëndësishëm, Prishtina çdo ditë frekuentohet nga dhjetëra mijëra qytetarë të komunave të tjera të Kosovës duke ngarkuar infrastrukturën e saj në mënyrë të vazhdueshme”, kishte shkruar Rama.

Këtë, Rama e konsideroi si dëmtim në zhvillimin e projekteve të Prishtinës.

Related Articles

Back to top button