Kurti: Duam që serbët në Kosovë të marrin pozitat që u takojnë me kushtetutën tonë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se qeveria është e interesuar për me bashkëpunim me serbët në Kosovë.
Ai është shprehur se ata duan që serbët në Kosovë të marrin pozitat që u takojnë me kushtetutën e vendit.
“Qeveria është e interesuar për bashkëbisedim e bashkëpunim me komunitetin serb në Kosovë, me të gjithë serbët të cilët kanë të drejta të rezervuara, të garantuara e të cilat ata do të duhej t’i shfrytëzojmë”.
“Ne jemi qeveria më demokratike dhe progresiste në rajon. Duam që komuniteti serb në Kosovë të marr pozitat që u takojnë me kushtetutën tonë, të zgjedhin përfaqësuesit e tyre përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme e të ulen pranë nesh në parlament e në kabinetin qeveritar në mënyrë që bashkë t’i marrim vendimet për qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Kurti.
Ai është shprehur se duan të veprojnë me kujdes, për shkak, siç u shpreh ai, të ndjeshmërisë ndaj situatës.
“Këto mesazhe i kemi dërguar çdo ditë, që nga dita e parë e qeverisjes sonë. Fatkeqësisht Serbia përmes grupeve kriminale dhe duke shfrytëzuar këtë ambient të mungesës së sundimit të plotë të ligjit në veri, për një kohë të gjatë ka mbajtur dhe po mban peng qytetarët serbë. Ne duam të veprojmë me kujdes, duke e kuptuar ndjeshmërinë ndaj situatës, këtë e kemi dëshmuar gjatë gjithë kohës”.
“Në fakt, për shkak të brishtësisë së situatës atje dhe partneriteti me miqtë tanë, me partnerët tanë evropian e amerikan ekemi toleruar shtyrje disa herë të zbatimeve të vendimeve tona, por çdo shtyrje edhe i skadon afati. Ne nuk kemi hequr dorë nga asnjë veprim që kemi marrë, sepse nuk mund të heqim dorë nga ligjshmëria dhe kushtetueshmëria, e nga obligimet që i kemi për shkak të përgjegjësive që i kemi marrë”, u shpreh tutje ai.