Kurti falënderon kontributin e Gjermanisë në KFOR
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Sekretaren e Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Republikës së Gjermanisë, njëherësh Zëvendësministre e Mbrojtjes Siemtje Möller.
Në komunikatën e lëshuar nga zyra e kryeministrit thuhet se Kurti shprehu mirënjohje për kontributin e çmuar që ka dhënë Republika Federale e Gjermanisë për çlirimin, pavarësimin dhe shtet ndërtimin e Kosovës.
“Duke e falënderuar për kontributin e Gjermanisë në KFOR, kryeministri theksoi rolin dhe rëndësinë që ka KFOR-i në Kosovë. Ai vlerësoi rolin dhe mbështetjen e Gjermanisë dhe ritheksoi rëndësinë që Qeveria e Republikës së Kosovës i kushton Procesit të Berlinit, si mundësia më e mirë për bashkëpunim mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian” – thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Tutje në komunikatë thuhet se u bisedua për mbështetjen lidhur me qëllimin e Republikës së Kosovës për përgatitje për aplikim dhe pranim në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si dhe në organizata tjera ndërkombëtare.
Ndërkaq, Sekretarja Möller vlerësoi marrëdhëniet e mira dhe të thella ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
“U theksua se vizitat e shpeshta të nivelit shtetëror i ri konfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Gjermanisë, si dhe i shërbejnë thellimit të mëtejmë të miqësisë dhe të bashkëpunimit” – thuhet në njoftim.