Ngjarje

Kurti fton qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje edhe njëherë qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike.

Ai tha se muajt në vijim, janari dhe shkurti do të jenë periudha më kritike kur temperaturat do të zbriten, ndërkaq çmimet e rrymës do të rriten.

“Gjatë këtij muaji kemi parë çmime mbi 500 euro për një megavatë orë, që është mëse tetë fishi që ju qytetarët e paguani në fatura. Muajt në vijim, e sidomos janari e shkurti do të jenë periudha më kritike kur temperaturat bien e çmimet në tregje evropiane rriten edhe më shumë. Andaj, qytetarë, ju lus të vazhdoni të intensifikoni kursimin e rrymës. Jemi bashkë në këtë ballafaqim dhe ju inkurajoj që të kurseni energjinë elektrike” – tha Kurti.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se me subvencionimin shtesë të kursimit të energjisë që nga shtatori vetëm për familjet që ulin konsumin kanë ndihmuar mbi 161 mijë familje në muajin shtator dhe mbi 202 mijë në tetor.

“Me subvencionimin shtesë të kursimit të energjisë që nga shtatori vetëm për familjet që ulin konsumin e energjisë kemi ndihmuar mbi 161 mijë familje në muajin shtator dhe mbi 202 mijë familje në muajin tetor. Pra është rritur numri i atyre që kursejnë” – theksoi ai.

“Si rezultat i këtyre masave dhe bashkëpunimit të qytetarëve kemi arritur të ulim konsumin e energjisë mbi 8% në krahasim me vitin e kaluar. Vit pas viti kemi pasur rritje, ndërsa kësaj radhe kemi kursim të energjisë. Falënderoj qytetarët për vetëdijen e lartë të treguar në përballje me këtë krizë” – shtoi Kurti.

Ndërkaq ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se në vitin e ardhshëm do të shpenzohen 49 milionë euro për efiçiencë.

“Vitin tjetër 49 milionë euro do të shpenzohen për efiqencë që është më shumë se të gjitha projektet e efiqencës në Kosovë të zbatuara në vend deri më tani. Gjatë këtij viti kemi siguruar 405 milionë euro për sektorin e energjisë. 340 milionë janë grante duke përfshirë nga MCC-ja, BE dhe Banka Gjermane për Zhvillim”- deklaroi Rizvanolli.

Ajo ka ritheksuar edhe një herë thirrjen ndaj qytetarëve që të vazhdojnë të kursejnë energjinë elektrike.

“Ju inkurajoj që të vazhdoni të kurseni energjinë gjatë muajve të ardhshëm, do të intensifikojmë komunikimin me ju në mënyrë që situatën ta menaxhojmë bashkë me koston më të mirë”- tha Rizvanolli.

Related Articles

Back to top button