Kurti: Këtë javë do të aplikojmë për statusin e kandidatit në BE
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se aplikimin për status të kandidatit në Bashkimin Evropian do ta bëjnë këtë javë.
Kurti tha se ka ardhur koha që statusin potencial për kandidat, ta kthejë në status kandidat duke kaluar në një fazë të re me BE-në.
“Para 1 vitit bëmë të ditur se këtë vit do të aplikojmë, sot po e bëjmë të ditur se aplikimin do ta bëjmë këtë javë. Ka ardhur koha që statusin potencial për kandidat, ta kthejmë në status kandidat, duke kaluar në një fazë të re me BE-në” – u shpreh Kurti.
Kreu i ekzekutivit, tha se krahasuar me shtetet e rajonit, Kosova është më e përgatitura.
“Kjo është në përputhje me aspiratat e popullit tonë, para 1 jave në samitin e Tiranës, BE bëri thirrje për proces të përshpejtuar të anëtarësimit, kjo është përgjigje direkte. Krahasuar me shtete e rajonit kur ato kanë aplikuar Kosova është më e përgatitura, BE është vend i paqes sigurisë, barazisë e prosperitetit, andaj edhe Republika e Kosovës e ka vendin aty”- shtoi ai.
Gjatë javës së kaluar, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi qëndroi për një vizitë 3 ditore në Bruksel, me ç’rast tema kryesore ishte anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian.