Kurti: KFOR’i po na kërkon pak kohë për heqjen e barikadave, po i presim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se KFOR’i u ka kërkuar pak kohë për heqjen e barrikadave dhe se po presin.
Kurti tha se beson se kjo është rruga më e mirë e mundshme për zgjidhjen e situatës.
“KFOR po kërkon pak kohë që shpejt ta kryej këtë punë dhe ne po presim. Nëse pritja jonë për KFOR’in është zbutje, le të quhet zbutje. Por për të mirën e përgjishme, besoj që megjithatë jemi duke e zgjedhur rrugën më të mirë të mundshme”, deklaroi Kurti në një konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.
Kurti e quajti bllokimin e rrugëve si të papranueshëm, derisa tha se s’duhet të përsëritet në të ardhmen.
Ai i ka bërë thirrje KFOR’it që ta garantojë lirinë e lëvizjes për të gjithë.
Ne i bëjmë edhe njëherë thirrje KFOR’it që ta garantojë lirinë e lëvizjes. KFOR’i në Kosovë është për një ambient të qetë dhe të sigurtë, i cili nënkupton edhe lirinë e lëvizjes pa dallim. Bllokimi i lëvizjes, bllokimi i rrugëve publike me automjete të rënda për të penguar lirinë e lëvizjes, nga banda kriminale që qëllojnë mbi Policinë tonë e mbi policinë e EULEX’it, jo vetëm që është i papranueshëm, por duhet edhe të jetë i papërsëritshëm kurdoherë në të ardhmen. Andaj ne po presim”, tha Kurti