Kurti nga Forumi i Prespës kërkon lirimin e menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin e Prespës në Strugë të Maqedonisë së Veriut, ka takuar Sekretaren e Shtetit të Federatës së Zvicrës, Livia Leu, raporton Gazeta Sinjali.
Kurti dhe Leu kanë diskutuar për raportin mes dy shteteve, teksa kryeministri kosovar ka shprehur falënderimin e tij për përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Kosovës.
Lidhur me situatën aktuale në vend, Kryeministri riktheksoi kërkesën për lirim të menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer, pasi ky veprim është një akt i agresionit të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, teksa përsëriti nevojën për deeskalim dhe normalizim të situatës.
Në këtë drejtim, kryeministri Kurti nënvizoi propozimin e tij për deeskalim të situatës në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës, të paraqitur ditën e hënë dhe nevojën për zbatim të plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.
Tutje, duke falënderuar Agjencinë për Zhvillim dhe Bashkëpunim të Zvicrës, kryeministri Kurti shtoi që komunat ende kanë nevojë për zhvillim dhe njëkohësisht kërkoi që të ketë edhe më shumë mbështetje në vazhdimësi. Ai gjithashtu falënderoi edhe për kontributin e Zvicrës në KFOR nëpërmjet Swisscoy.



