Kurti: Serbia dëshiron të jetë “Rusia e vogël” në Ballkan

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se Serbia dëshiron të jetë “Rusia e vogël” në Ballkan.
Kurti në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa” tha se Serbia dëshiron ta ketë një pjesë të territorit të Kosovës, për ta minuar Evropën.
“Mendoj se Serbia dëshiron të jetë Rusia e vogël në Ballkan, ku Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë do të jetë Bjellorusia e vogël, dhe Mali i Zi do të bëhet Ukrainë. Për veriun e Kosovës rreziku është transformimi i tij në Transnistri, si p.sh në Moldavi. Kjo është ajo që ata duan: një pjesë të territorit në Kosovë, por që ata gjithsesi e kontrollojnë për të minuar vendin në tërësi, por edhe Evropën”, tha Kurti.
Ai theksoi se pret të ketë më shumë mbështetje nga NATO-ja për Kosovën.
“Kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bërë kufiri midis NATO-s dhe Rusisë. Mendoj se nevojitet më shumë mbështetje nga NATO me më shumë ushtarë, përfshirë edhe italianë, në Kosovë dhe mbështetje për ushtrinë tonë”, tha Kurti.



